Zbardhen detaje të reja nga masakra në një lokal në Shkodër, ku mbetën të vrarë dy persona dhe u plagosën dy të tjerë. Autori i dyshuar i ngjarjes, pas kryerjes së krimit, ka tentuar të largohet me një automjet tip BMW, por është aksidentuar në zonën e urës së trenit, në dalje të qytetit.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se pas aksidentit, i dyshuari ka tentuar të arratiset në këmbë në drejtim të lumit Kir, por është neutralizuar nga forcat “Shqiponja” dhe është vënë në pranga. Policia ka sekuestruar edhe armën e krimit, ndërsa mësohet se autori e ka kryer atentatin fillimisht me motor dhe më pas ka ndërruar mjet për t'u larguar.
Hetimet për ngjarjen vijojnë, ndërkohë që policia po punon për zbardhjen e plotë të motivit të sulmit, si dhe për identifikimin e ndihmësve të mundshëm në këtë akt të rëndë kriminal.