Pasditen e sotme, Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar aktivizoi për herë të parë në nivel kombëtar sistemin e ri të Alarmit të Emergjencës.
Rreth orës 15:00, të gjithë telefonat celularë në vend lëshuan një sirenë të fortë dhe u dridhën për rreth 10 sekonda. Alarmi u shoqërua me një mesazh në ekran, ku theksohej qartë se bëhej fjalë vetëm për një testim dhe se nuk kishte arsye për panik.
Në njoftim thuhej: “Ky është një test i Alarmeve të Emergjencës, një shërbim qeveritar i Mbretërisë së Bashkuar që do t’ju paralajmërojë nëse ka një emergjencë që kërcënon jetën afër. Nuk keni nevojë të ndërmerrni asnjë veprim. Në një emergjencë të vërtetë, ndiqni udhëzimet në alarm për të mbajtur veten dhe të tjerët të sigurt.”
Ky sistem është krijuar për të njoftuar qytetarët në raste situatash të rrezikshme për jetën, si përmbytje të mëdha, fatkeqësi natyrore apo zjarre, duke i shoqëruar paralajmërimet me udhëzime të qarta se çfarë veprimesh duhet të ndërmerren.
Lajmi ka tërhequr vëmendjen edhe të shqiptarëve që jetojnë në Britani. Njëri prej tyre i shkroi redaksisë së JOQ Albania, i surprizuar nga alarmi:“Përshëndetje JOQ Albania. Pak minuta më parë na erdhi ky alarm në të gjithë telefonat në UK. Një paralajmërim për përgatitje që po bën vendi për rast lufte. A thua se jemi afër një lufte? Shpresoj të mos ndodhë kurrë. Faleminderit nëse e postoni.”
Megjithatë, autoritetet theksojnë se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Aktivizimi i sotëm ishte thjesht një provë teknike, për të testuar funksionalitetin e sistemit të ri të alarmit kombëtar.