Motra e Kristianit që ekzekutuan në Shkodër: Dyshoj që Policia është e implikuar

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 07.09.2025, 12:34

Familja e 34-vjeçarit Kristian Kola, i cili u ekzekutua me armë zjarri në qendër të Shkodrës, vijon të kërkojë përgjigje për vrasjen e tij. Në një intervistë për mediat, motra e viktimës, Mariza Kola, ka rrëfyer dhimbjen e thellë dhe ka hedhur dyshime të forta për mënyrën si është trajtuar rasti nga autoritetet.

E shokuar nga humbja, Mariza kujton momentin kur mori lajmin tragjik.

“Më morën në telefon, më thanë vëllain tënd e kanë vrarë. Më kanë marrë nga shoqëria, jo familjarët fillimisht. Vëllai s’ka qenë me precedent penal. Kanë punuar në ndërtim dhe nuk është marrë kurrë me gjë tjetër. Asnjëherë s’ka pasur as konflikt, as hasmëri me kërkënd.” – rrëfen ajo.

Sipas saj, Kristian ishte një djalë i qetë, i përkushtuar në punë, larg botës së krimit. Ajo tregon se kishte folur me të vetëm një ditë para ngjarjes, ndërsa priste që të komunikonin sërish atë mbrëmje, diçka që nuk ndodhi kurrë.

“Asnjë gjë nuk dimë, asgjë nuk na kanë thënë. Nuk është e lehtë ta fusësh në mendje këtë.” – shprehet ajo mes lotësh.

Motra e viktimës ngre edhe akuza për mënyrën si është menaxhuar situata në terren. Ajo pohon se i ati nuk është lejuar të shihte trupin e djalit në momentin e transportimit, ndërsa ambulanca ka vonuar rreth një orë për të mbërritur në vendngjarje.

Në fund, ajo artikulon dyshimin e saj më të fortë:

“Është punë e policisë të gjejë autorët dhe të zbardhë çfarë ka ndodhur. Por unë dyshoj që policia është e implikuar në këtë krim. Dua vetëm drejtësi.” – përfundon ajo.

Ngjarja e rëndë ndodhi në një lokal pranë “Kinema Republika” në Shkodër, ku Kristian Kola po konsumonte një kafe. Dy autorë ende të paidentifikuar e qëlluan me armë zjarri, duke e lënë të vdekur në vend.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit