Kepi i Rodonit, një nga pikat më të njohura turistike në bregdetin shqiptar, ka mbetur i mbuluar me plehra, duke shkatërruar bukurinë natyrore dhe duke krijuar një pamje të papranueshme për vizitorët. Një qytetar ka dërguar pamje në redaksi teksa shkruan se në këtë zonë merren 5 euro për çdo makinë që futet dhe në fund përballet me një panoramë të shëmtuar, një natyrë e mbushur me plehra.
Qytetari denoncues i shqetësuar nga gjendja e mjerueshme, ka kërkuar veprim të menjëhershëm nga autoritetet. Ai ka bërë thirrje për përgjegjësit, duke iu drejtuar kryetares së bashkisë Emirjana Sakos dhe përfaqësuesve të zonës që të vënë dorë në këtë hapësirë të natyrës.
"Ky është kepi i Rodonit, që lakmojnë mjeshtrit dhe analistët e mëdhenj të turizmit. Aty merren 5 euro për çdo makinë që futet për të parë ekspozitën e plehrave. T’i bëhet vërejtje kryetares së bashkisë ose përgjegjësve të zonës që nëse nuk gjen dot 10 veta për të pastruar një breg, i gjej unë 40 ose 50 vullnetarë për të shpëtuar kepin e Rodonit nga një makabër mjedisore që po ndodh çdo ditë aty"
Emirjana Sako e ka lënë një prej atraksioneve më të bukura të Shqipërisë të mbulohet nga plehrat, duke dëmtuar rëndë imazhin e turizmit në këtë rajon. Ky krim mjedisor ngre pyetje mbi menaxhimin e resurseve natyrore dhe përgjegjësinë e autoriteteve lokale për ruajtjen e trashëgimisë natyrore dhe mjedisit.