Në Peqin, një rrugë romake me mijëra vjet histori është futur mes dy brezash asfaltimi, duke humbur çdo lidhje me origjinalitetin e saj. Gurët e Via Egnatias, pjesë e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë, janë mbuluar me materiale që nuk respektojnë asnjë nga kriteret bazë të restaurimit.

Kjo ndërhyrje është një shkelje flagrante e mënyrës se si duhet trajtuar një monument historik. Në vend që fondet të investoheshin në restaurimin e materialeve origjinale, ato u përdorën për asfaltimin e gurëve të lashtë. Asfalti nuk ka vend pranë një monumenti historik dhe rrezikon ta dëmtojë atë.

Ky është një keqpërdorim i hapur i fondeve dhe një mungesë respekti ndaj trashëgimisë. Kjo tregon dështimin e institucioneve përgjegjëse. Nëse investimet shkojnë në zgjidhje të tilla që deformojnë historinë, atëherë po shndërrohemi në një vend ku trashëgimia shitet thjesht si një imazh për të fituar pikë politike.

Fonde të tilla duhet të përdoren për restaurime të vërteta, me teknika konservuese dhe materiale origjinale, pa ndotje me asfalt ose zgjidhje moderne që nuk përputhen me kontekstin historik. Mbikëqyrja nga ekspertët dhe një plan menaxhimi serioz janë themeli për të ruajtur këtë thesar që nuk duhet të tretet nën asfalt.

Ndërsa Bukurosh Maçi i Peqinit e prezanton këtë rrugë si një “xhevahir” të trashëgimisë, në realitet po shohim një shkatërrim të hapur të monumentit. Është e papranueshme që në emër të restaurimit po fshihet një dëmtim i historisë sonë. Kjo ndërhyrje nuk është asgjë më shumë se një ambalazh politik i shëmtuar, që po vret me asfalt një thesar që i përket të gjithë shqiptarëve.