Një motor i djegur është gjetur në fshatin Vukatanë të Shkodrës dhe dyshohet se është mjeti i përdorur nga autorët e atentatit ndaj 34-vjeçarit Kristian Kola, i ekzekutuar më 4 shtator.
Mjeti pritet t’i nënshtrohet ekspertizës për të parë nëse mbart prova që mund të çojnë drejt autorëve. Dyshohet se pas braktisjes e djegies së motorit, autorët janë ndihmuar nga persona të tjerë për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.
Ngjarja tronditi Shkodrën mbrëmjen e 4 shtatorit, kur Kola u qëllua për vdekje pranë “Kinema Republika”, teksa po konsumonte kafe në katin e parë të një hoteli. Dy persona të maskuar që lëviznin me motor hapën zjarr në drejtim të tij, duke e lënë të pajetë në vend, ndërsa shoku i tij që ndodhej në të njëjtën tavolinë shpëtoi pa u lënduar.
Motivi i ekzekutimit mbetet i paqartë, pasi viktima nuk rezulton të ketë pasur konflikte të njohura apo precedentë penalë seriozë. Policia ka ngritur një grup të posaçëm hetimor dhe po analizon kamerat e sigurisë për të identifikuar ekzekutorët.