Në maternitetin “Gelardinë”, aty ku duhet të fillojë një jetë e re mes gëzimit dhe kujdesit, realiteti është krejt ndryshe. Dhoma ku qëndrojnë nënat pas lindjes ofrojnë pamje të denja për një vend të braktisur, jo për një institucion shëndetësor.
Në ballkonet e këtyre ambienteve shihen grumbuj mbeturinash dhe papastërti që jo vetëm cenojnë dinjitetin e nënave, por edhe rrezikojnë shëndetin e tyre dhe të foshnjave. Përtej pamjes së shëmtuar, problemet nuk ndalen këtu. Brenda dhomave mungon ajri i kondicionuar, nuk ka sisteme ngrohjeje dhe shpesh hasen edhe vështirësi me furnizimin me ujë.
Këto kushte, që tejkalojnë çdo normë higjienike dhe standard minimal, e bëjnë maternitetin të ngjajë më shumë si një tavëll duhani nga jashtë dhe një kosh prehrash nga brenda, sesa si një vend ku duhet të mbretërojë pastërtia dhe kujdesi. Për nënat e reja, të lodhura nga lindja dhe që kanë nevojë për qetësi, kjo situatë është e papranueshme dhe e rrezikshme.
Në vend që të jenë krenari për shëndetësinë, maternitetet si ky kthehen në pasqyrë të mungesës së vëmendjes dhe neglizhencës së institucioneve. Nëse nuk ndërhyhet menjëherë, ky realitet do të mbetet një turp publik që dëmton më të pambrojturit: nënat dhe fëmijët e porsalindur.
Albana Koçiu , që çdo ditë mburret me investime imagjinare dhe slogane boshe, zgjedh të kthejnë kokën nga ana tjetër përball kësaj situate. Përballë tyre, qëndron e vërteta brutale: një maternitet që duhet të ishte shembull i higjienës, është shndërruar në simbol të papërgjegjësisë shtetërore.
Denoncimi i qytetares:
Përshëndetje joqalbania!
Kjo është situata në maternitetin Gelardinë, në dhomat e nënave që sapo kanë lindur, ndodhet një ballkon me mbetje dhe një papastërti që i kalon kufijtë dhe normat. Pa ajër të kondicionuar, pa sisteme ngrohje, pa ujë etj. Ngjan më shumë si një tavëll duhani nga jashtë dhe një kosh prehrash nga brenda.