Një denoncim ka mbërritur nga Spitali Rajonal i Fierit, ku sipas qytetarëve, shërbimi në urgjencë është praktikisht inekzistent.
Një qytetare ka treguar se ka shkuar në urgjencë në orën 07:30 me nënën e saj, e cila ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore. Ajo rrëfen se në dhomën e urgjencës nuk kishte asnjë mjek apo infermier që të kujdesej për pacientët të cilët paraqiten për ndihmë mjekësore në këtë spital.
“E futa mamin në dhomë vetë, se askush nuk na tha asgjë. Presim prej një ore, pastaj dy orësh, por asnjë doktor nuk u shfaq. I thirrëm me qindra herë, na thoshin ‘pritni, kemi punë’. – shprehet denoncuesja e cila gjithashtu shton se një tjetër zonjë e cila ishte në një gjendje edhe më të rëndë se nëna e saj nuk mori shërbim në kohën e duhur, edhe pse vuante nga zemra, gjë e cila mund të kishte shkuar deri në fatalitet.
Qytetarja shprehet se ka pritur deri në orën 10:00, pa marrë asnjë kujdes mjekësor minimal. Situata sipas saj është e njëjtë për të gjithë pacientët që shkojnë në urgjencën e Fierit, ku shpëtimi varet jo nga profesionalizmi i mjekëve, por nga pagesat “nën dorë”.
Kjo histori ngre shqetësime serioze për mungesën e shërbimit bazë në një spital rajonal, që duhet të garantojë ndihmën e parë dhe trajtimin e menjëhershëm për të gjithë pacientët aq më tepër për ata që ndodhen në rrezik për jetën.
Denoncimi i qytetares:
“Përshëndetje, spitali rajonal i Fierit nuk ka asnjë lloj shërbimi kemi pritur me orë. Shkova në orën 7:30 në spital se kisha mamin shumë keq, aty e futa brenda asnjë mjek asnjë doktor nuk doli të thotë çoje në këtë dhomë e gjeta vetë një dhomë dhe e çova. Më pas aty prita deri në orën 10, i ka thirrur 100 herë, jo prit se kemi punë. Ndërkohë unë e kisha mamin keq, një zonjë tjetër vuante nga zemra priste aty, bërtiste. Asnjë nuk të prek me dorë, vetëm po ti japësh lek të shohin.”