Gentjan Kamxhiu, një qytetar nga Peqini, ka denoncuar përmes një interviste për TVA News dhe një mesazhi dërguar redaksisë së JOQ Albania trajtimin çnjerëzor që thotë se ka përjetuar nga autoritetet greke dhe më pas nga ato shqiptare, pas deportimit të tij nga Greqia më 24 gusht. Kamxhiu deklaron se ishte kapur nga policia greke ndërsa punonte pa dokumente për një punë sezonale dhe më pas u mbajt për tre ditë nga pala greke, pa ushqim dhe në kushte të vështira.
Me stomakun bosh, ai u vendos në Pikën Kufitare të Kapshticës, ku iu nënshtrua një verifikimi nga policia shqiptare, por ndonëse doli i pastër, u detyrua të qëndronte në pritje të një përgjigjeje nga autoritetet e brendshme. "Isha tre ditë pa ngrënë, shumë i sëmurë. I luta policët që me lekët e mia të më blinin diçka për të ngrënë, por më injoruan. Po vdisja për bukë", deklaron Gentjani për TVA News. Situata u përkeqësua, derisa rreth orës 20:30 mbërriti inspektori Sokol Domrelli (mbiemri i pakonfirmuar mirë” nga Policia e Korçës, i cili i dha ndihmën e parë së bashku me një tjetër efektiv, duke i shpëtuar jetën.
Kamxhiu shpreh falënderime të thella për inspektor Sokolin, të cilin e cilëson si njeriun që e shpëtoi nga vdekja: “Më dha bukë, ujë, më çoi në Korçë... e falënderoj nga zemra. Edhe tani që flas, qaj. Ai më shpëtoi jetën.” Ndërkohë, ai i bën thirrje Policisë së Shtetit që të marrë masa ndaj efektivëve që, sipas tij, nuk zbatojnë ligjin dhe tregojnë mungesë humaniteti. Gjithashtu, ai denoncon edhe trajtimin nga autoritetet greke, që e mbajtën në kushte degraduese për tre ditë pa ushqim.