Një raport i publikuar nga The New York Times dhe bazuar në dokumente të Inspektorit të Përgjithshëm të Departamentit Amerikan të Drejtësisë, zbulon se ish-shefi i kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork, Charles McGonigal, ka kompromentuar një hetim të rëndësishëm penal ndaj interesave kineze. McGonigal ka ndarë informacione sekrete me Dorian Duckën, ish-zyrtar shqiptar, i cili më pas ia transmetoi këto të dhëna drejtuesve të Komitetit të Fondit të Energjisë së Kinës, duke i paralajmëruar për arrestimet në pritje.
Sipas raportit, këto paralajmërime sollën pasoja të rënda për hetimin e FBI-së, pasi disa nga personat e dyshuar përfshirë Patrick Ho dhe Gal Luft anuluan planet për të udhëtuar drejt SHBA-së, duke shmangur arrestimin dhe kontrollin e provave. McGonigal, i cili tashmë po vuan një dënim me gjashtë vjet e gjysmë burg për afera me një oligark rus, i kishte këshilluar personalisht Duckës të mos udhëtonte drejt SHBA-së për të shmangur ndonjë ndërhyrje të FBI-së.
Në raport përmendet edhe emri i kryeministrit shqiptar Edi Rama, si pjesë e kontakteve të McGonigal gjatë aktiviteteve të tij të dyshimta në Shqipëri. Ky është një nga skandalet më të mëdha që ka tronditur FBI-në në dekadat e fundit, ndërsa përfshirja e emrave shqiptarë si Ducka dhe referenca ndaj Ramës e bëjnë edhe më shqetësues ndikimin që ky rast mund të ketë në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe besimin ndaj institucioneve.