Pse u vra Kristjani në Shkodër? Asnjë pistë hetimi dhe zero gjurmë nga autorët

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 06.09.2025, 10:57

Ekzekutimi mafioz i 33-vjeçarit Kristjan Kola, i ndodhur mbrëmjen e së enjtes në zemër të Shkodrës, vijon të mbetet pa autor dhe pa një pistë të qartë hetimi. Ngjarja e rëndë ka tronditur qytetin, ndërsa autoritetet ende nuk kanë arritur të identifikojnë autorët e atentatit, pavarësisht pranisë së kamerave të sigurisë dhe dëshmitarëve në vendngjarje.

Kola u qëllua për vdekje teksa ndodhej i ulur në një tavolinë jashtë një lokali, në anë të rrugës. Sipas informacioneve paraprake, ai nuk ka shfaqur asnjë shenjë se ndjente rrezik, ndërsa në tavolinë me të ndodhej edhe një person tjetër. Autori, i maskuar me skafandër, e qëlloi disa herë me armë zjarri dhe më pas u largua me motor, bashkë me një bashkëpunëtor që shërbente si drejtues i mjetit.

Pamjet filmike të siguruara nga subjektet private pranë vendngjarjes dhe nga kamerat e sigurisë së zonës janë sekuestruar nga policia, e cila ka identifikuar siluetat e atentatorëve dhe lëvizjet e motorit përpara dhe pas atentatit. Megjithatë, deri më tani, nuk është ngritur asnjë pistë konkrete hetimore dhe nuk ka të arrestuar.

Kristjan Kola nuk rezulton të ketë precedentë penalë dhe nuk është i njohur si pjesë e ndonjë grupi kriminal. Ai kishte një biznes ndërtimi në bashkëpunim me të atin, dhe së fundmi ishin angazhuar në punime në kinemanë e qytetit. Gjithashtu, mësohet se viktima kishte udhëtuar jashtë vendit muajt e fundit, por nuk ka të dhëna për përfshirje në ngjarje kriminale apo konflikte gjatë qëndrimit jashtë.

Grupi hetimor ka sekuestruar celularin e viktimës dhe po analizohen kontaktet dhe komunikimet e tij, me fokus të veçantë tek çdo lidhje e mundshme me persona me precedentë penalë. Deri më tani, as familjarët e Kolës dhe as personat e afërt nuk kanë raportuar ndonjë konflikt apo kërcënim të mëparshëm ndaj tij.

Në kuadër të hetimeve, policia ka identifikuar një motor të dyshimtë që është vërejtur në disa zona të Shkodrës ditë para vrasjes, duke shtuar dyshimet se viktima mund të jetë ndjekur për disa ditë nga autorët. Po ashtu, pritet të verifikohen me imtësi dhjetëra pamje të tjera filmike që mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes.

Pak ditë para kësaj ngjarjeje, një tjetër krim i rëndë tronditi qytetin e Shkodrës, ku një burrë vrau kushëririn e tij me armë zjarri, rast për të cilin pretendon vetëmbrojtje.

Hetimet për ekzekutimin e Kristjan Kolës vijojnë intensivisht, ndërsa autoritetet i bëjnë thirrje qytetarëve që të ndihmojnë me çdo informacion që mund të çojë në identifikimin e autorëve të krimit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit