Një qytetar ka ngritur alarmin për gjendjen e amortizuar të rrugës së universitetit në Durrës, pranë kampusit të ri. Në një thirrje publike për JOQ, ai kërkon ndërhyrjen e menjëhershme të institucioneve përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve, duke e cilësuar situatën si tejet të rrezikshme për qarkullimin e mjeteve.
Sipas denoncimit, dëmet në infrastrukturë nuk janë vetëm bezdisje, por përbëjnë rrezik real për aksidente. Ai tregon se ka parë vetë një makinë të përplaset me vijën ndarëse të rrugës për shkak të gropave, ndërsa në rrjetet sociale janë shpërndarë video ku duken automjete me goma të çara. Rruga, që ndodhet në një zonë me prani të lartë studentësh dhe automjetesh, ka degraduar.
“Dua t’i bëj thirrje mirëmbajtësit të rrugës që ta rregullojnë rrugën e universitetit. Është shumë e rrezikshme për makinat, ka shumë gropa. I pashë kamionët që ecnin zig-zag si gjarpri, sepse ka shumë gropa. Ju lutem, jepini zë kësaj situate të rrezikshme. Në Durrës, rruga e universitetit, kampusi i ri. Janë transmetuar dhe video të tjera që është çarë goma nga gropat që ka. Por që kam parë dhe vetë që një makinë ishte përplasur me vijën ndarëse të rrugës për shkak të gropave”, shkruan qytetari.
Qytetari apelon që autoritetet vendore dhe kompanitë e mirëmbajtjes të mos e injorojnë këtë problem që rrezikon jetën e përdoruesve të rrugës.