Shpërdoroi detyrën, arrestohet në Angli ish-zyrtari i prokurimeve publike Krenar Gozhina

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 06.09.2025, 09:30

Krenar Gozhina, një ish-zyrtar i Zyrës së Prokurimeve Publike në Shqipëri, është arrestuar nga policia britanike në qytetin e Canterburyt, në Anglinë Jugore. Ai ishte shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare, pasi ishte dënuar nga Gjykata e Posaçme me 1 vit e 6 muaj burg për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera, në kuadër të një hetimi nga SPAK për abuzime me tenderin e transportit të gardianëve të burgut të Lushnjës. Me përfitimin e dënimit të shkurtuar, atij i mbetet për të vuajtur vetëm një vit burgim.

Sipas dokumenteve të siguruara nga Top Channel, Gozhina është arrestuar në banesën e tij në rrugën Peri Court, ndërsa para gjykatës së ekstradimeve në Londër është paraqitur si person nën hetim për përfitime të paligjshme gjatë procedurave të prokurimit. Gjykata vendosi ta lërë të lirë me kusht deri më 2 shkurt 2026, duke vendosur si garanci një shumë prej 5.000 stërlinash të depozituar nga të afërmit e tij. Ai është i detyruar të paraqitet në komisariatin e Canterburyt tre herë në javë dhe të mbajë një pajisje elektronike gjurmimi.

Kjo është një nga 12 kërkesat për ekstradim të shtetasve shqiptarë që po shqyrtohen aktualisht nga autoritetet britanike, pas lokalizimit të tyre nga Interpol Tirana. Të gjithë këta shtetas janë arrestuar në qytete të ndryshme të Mbretërisë së Bashkuar, si pjesë e një operacioni për rikthimin e personave të dënuar apo nën hetim që janë fshehur jashtë vendit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit