Operacioni “Albania”, marrëveshja mes kryeministrit Edi Rama dhe homologes italiane Giorgia Meloni për menaxhimin e emigrantëve, po përballet me një sfidë serioze pas një vendimi të Gjykatës së Kasacionit në Itali. Në qendër të debatit është qendra e riatdhesimit në Gjadër, e cila u rihap në kuadër të këtij protokolli. Gjykata e konsideron të paligjshëm ndalimin për 48 orë të emigrantëve pa një vendim gjyqësor, siç parashikohet në dekretin e qeverisë italiane, duke e quajtur këtë një shkelje të së drejtës për liri personale.
Rasti nisi nga ankesa e një emigranti që u dërgua fillimisht në qendrën e Gjadrës në Shqipëri dhe më pas në atë të Barit në Itali, ku qëndroi për dy ditë pa një vendim të vlefshëm ndalimi. Gjykata vendosi ta çojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, duke argumentuar se ligji shkel gjashtë nene të Kushtetutës italiane dhe bie ndesh me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kjo vë seriozisht në dyshim ligjshmërinë e një prej shtyllave të operacionit “Albania”, shkruan media italiane today.it.
Vendimi ka ndezur menjëherë reagime të forta politike në Itali. Opozita e ka cilësuar këtë si një tjetër dëshmi të dështimit të qeverisë Meloni në menaxhimin e krizës së emigrantëve. Sipas Alfonso Colucci, përfaqësues i Lëvizjes Pesë Yje, rregulloret e miratuara nga qeveria janë joefektive, të paligjshme dhe në kundërshtim me të drejtat themelore. Ai theksoi se mungesa e një strategjie të mirëfilltë po çon në krizë të njëpasnjëshme ligjore dhe politike.