Mediat sportive turke kanë ndezur dje merkaton me një lajm që prek drejtpërdrejt futbollistin shqiptar Ernest Muçi. Sipas gazetës “Hurriyet”, Besiktashi ka arritur një marrëveshje me Trabzonsporin për huazimin e yllit kuqezi për një periudhë njëvjeçare.
Muçi, i cili vetëm pak muaj më parë u bashkua me "gjigantin" turk nga Legia e Varshavës, duket se do të provojë një kapitull të ri karriere në një tjetër klub të Superligës turke. Palët, sipas raportimeve, kanë hyrë tashmë në detajet e kontratës, të cilat pritet të përmbyllen para startit të kampionatit, në mënyrë që futbollisti të jetë i gatshëm menjëherë për të ndihmuar skuadrën e re.
24-vjeçari konsiderohet një nga lojtarët më premtues shqiptarë të brezit të tij dhe për këtë arsye, lëvizja e tij ka ngjallur interes të madh edhe në opinionin sportiv në Shqipëri. Ndërkohë, Muçi ishte përfshirë në listën fillestare të Kombëtares për ndeshjet e shtatorit, por një dëmtim i papritur e detyroi trajnerin Silvinjo të bënte zëvendësimin e tij me Kristian Shpendin.
Huazimi te Trabzonspori shihet si një mundësi e artë për mesfushorin ofensiv për të marrë më shumë minuta loje dhe për të rigjetur formën pas periudhës së dëmtimit.