Një tjetër problem mjedisor dhe shëndetësor po alarmon banorët e plazhit në Durrës. Prej më shumë se një jave, një lagje pranë ish-stacionit të vjetër të trenit është kthyer në burim ndotjeje dhe ere të rëndë, duke bërë që qytetarët të kërkojnë ndihmë publike.
Denoncimi vjen nga pallati i njohur si “i Arabit”, në rrugën dytësore të lagjes 13. Banorët shprehen se megjithëse pallati ka administrator, askush nuk është kujdesur për të zgjidhur situatën. Problemi nisi disa javë më parë, kur puseta kryesore në rrugë u bllokua. Pas ndërhyrjes së institucioneve, situata u duk se u normalizua, por vetëm përkohësisht.
Prej ditësh, aroma e rëndë po bëhet e padurueshme, ndërsa banorët thonë se ndihen të braktisur nga institucionet dhe kërkojnë ndërhyrje urgjente.
Denoncimi i qytetares:
Përshëndetje! Doja të ndaja me ju një shqetësim nga një lagje e plazhit në Durrës. Ka një javë që na ka mbytur era. Unë jetoj tek pallati përballë. Nëse mundeni, ju lutem ta publikoni. Bëhet fjalë për lagjen 13, plazh Durrës, tek ish-stacioni i vjetër i trenit, pranë pallatit të Arabit, në rrugën dytësore. Ky pallat ka edhe administrator, por as që e vret mendjen fare. Para dy javësh ishte bllokuar puseta kryesore në rrugë. Erdhen e zhbllokuan, se desh na ra kolera. Tani ka një javë që është bllokuar një tjetër pusete, dhe nuk vjen askush. Këtu luajnë fëmijë, jetojnë edhe të moshuar. Është vapë dhe shumë e thjeshtë të marrësh ndonjë virus. Është një pamje skandaloze edhe për turistët. S’di ç’t’ju them më. Uji po del matanë dhe edhe pak do të dalë në rrugë.