Një qytetar i është drejtuar redaksisë sonë për të denoncuar një rast të paprecedentë ku një kamion transporton mish jashtë të gjitha kushteve higjenike.
Sipas denoncuesit, ngjarja ka ndodhur në fshatin Pobreg të Kukësit gjatë pasdites së sotme. Kamioni i panjohur për banorët e zonës ishte i mbushur plot me mish, ndërkohë që në pjesën e sipërme ishte i hapur pa asnjë masë kufizuese.
Nuk dihet nëse ai mish është për konsum, apo janë thjeshtë mbetje të ndonjë kasaphane, që më pas janë derdhur në natyrë duke shkaktuar ndotje të mjedisit.
Qytetari thotë në video: “Ndodhemi në fshatin Pobreg në rrethin e Kukësit. Ky kamioni është plot me mish dhe ndaloi këtu për të derdhur ujë a nuk e di çfarë ka.”
Ai pyet se ku mund të jetë duke e çuar mishin ky shofer kamioni, i cili në një moment del në pjesën e pasme të automjetit.
“Ku po e çon këtë mish dhe e ndoti vendin?! Ka ndodhur në Kukës në fshatin Pobreg sot pasdite rreth orës 15:30. Është hera e parë që e shikojmë këtë makinën,” shkruan denoncuesi.
Ky rast ngre dyshime të tjera mbi standardet e sigurisë ushqimore, dhe nëse ai mish është për konsum, autoritetet duhet të marrin masat e nevojshme për të penguar kalimin e tij në treg.