Kreshnik Leskaj, pronari i kompanisë së dysheqeve Biote, duket se ka ngritur një “perandori” mbi shfrytëzimin, mashtrimin dhe talljen me punëtorë e klientë.
Redaksia jonë është mbushur me denoncime nga punëtorët kundër tij: paga që nuk paguheshin, punëtorë të detyruar të firmosnin dy bordero, largime arbitrare nga puna dhe kërcënime me gjyqe sa herë që ndonjëri guxonte të kërkonte të drejtën ose të shkonte në një kompani tjetër. Një skemë tipike e një “boss-i” që sillet si të ishte mbi ligjin.
Por mesa duket, Kreshniku nuk mjaftohet vetëm me punëtorët. Këtë herë në redaksi ka ardhur një denoncim nga një kliente e kompanisë së tij. Zonja kishte blerë tre vite më parë një dyshek me vlerën 5000 lekë të rinj dhe me një garanci 15-vjeçare. Sot, pas vetëm tre vitesh, dysheku është kthyer në një katastrofë: i mbushur me njolla dhe i deformuar në çdo cep. Pra, një produkt që nuk vlen më asgjë.
E çfarë ndodhi kur klientja kërkoi zbatimin e garancisë? Kompania e Kreshnikut, në vend që të mbante përgjegjësi, i kërkoi të paguante përsëri para për një dyshek të ri! Për më tepër, gruaja tregon se dysheku i ardhur nuk ishte as i paketuar si të tjerët, por në një qese duke lënë të kuptohet se mund të ketë qenë edhe i përdorur më parë. Pra, jo vetëm mashtrim, por edhe turp.
Ky nuk është një rast i izoluar, por një model i qartë abuzimi që Kreshnik Leskaj duket se e ka kthyer në biznesin e tij të vërtetë. Shfrytëzon punëtorët, mashtron klientët dhe sfidon hapur çdo ligj.
Dhe sot lind pyetja e madhe: Ku është policia? Kush është krah Kreshnik Leskajt që i lejon të sillet kështu me punëtorët dhe klientët? A është Biote shtet brenda shtetit?