Banori i Astirit: Pronari ish- polic i bar ‘Kronos’ zë rrugën, kërcënon policët dhe banorët

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 05.09.2025, 16:08

Një denoncim ka mbërritur në redaksinë tonë për lokalin “Kronos” në zonën e Astirit, Tiranë me pronar një ish-punonjës policie, konkretisht Ndriçim Bakalli, i cili akuzohet nga banorët për zaptim të hapësirës publike dhe presion ndaj autoriteteve. Sipas qytetarëve, lokali ka zënë trotuarin kryesor përgjatë rrugës, duke bllokuar lëvizjen e lirë të këmbësorëve dhe automjeteve. Pavarësisht ankesave të shumta të bëra nga banorët dhe administratori i pallatit në institucionet përkatëse, nuk është marrë asnjë masë konkrete.

Ngjarja më e fundit ndodhi kur policia bashkiake shkoi në vendngjarje për të ndërhyrë, por u përball me kërcënime dhe ofendime nga pronari i lokalit, i cili sipas denoncimit është një ish-punonjës policie. Ai i ka përballuar efektivët me agresivitet, duke u thënë: “Do ju heq nga puna!” Si pasojë, policët janë larguar pa kryer asnjë veprim zyrtar, ndërsa banorët kanë filmuar të gjithë situatën me celularë.

“Lokali "Kronos" në Astir është i vetmi që askush nuk guxon ta prekë. Edhe pas shumë ankesave të bëra në të gjitha institucionet përkatëse, si nga administratori i pallatit, ashtu edhe nga banorët, për hapësirën e zënë dhe për bllokimin e trotuarit kryesor përgjatë rrugës, sot sapo erdhi policia bashkiake për të ndërmarrë veprime pronari i lokalit, ish-punonjës policie, doli duke bërtitur dhe ofenduar, duke i kërcënuar pse kishin ardhur, madje duke u thënë: "Do ju heq nga puna!" Policët e bashkisë, nga frika se mos i largon vërtet nga puna, u larguan pa plotësuar asnjë nga fletët e bllokut që mbanin në dorë. E gjithë lagjja ishte dëshmitare e ngjarjes dhe shumë banorë filmuan gjithçka me celularë. Ju lutem, ruani anonimitetin, jam vetëm një qytetar i shqetësuar. Ky pronar ka shumë lidhje dhe nuk duam konflikte. Vetëm ju mund të merrni masa. Ju falënderoj për punën që bëni. Bar "Kronos" ka zënë edhe garazhin për parkim dhe ka vendosur në rrugë pengesa dhe trarë. Përveç kësaj, ka bërë shtesa në ambient, ka ndërtuar shkallët poshtë, i ka kthyer në magazinë dhe ka hapur edhe një tabakino, siç shihet qartë nga fotot që ju kam dërguar. Ju lutem, merrni masa. Situata është e papranueshme”, shkruan qytetari për JOQ Albania.

Denoncuesit pohojnë gjithashtu se lokali “Kronos” ka bërë ndërtime shtesë pa leje, ka zënë garazhin për parkim privat, ka vendosur pengesa dhe trarë në rrugë, dhe ka kthyer shkallët poshtë në magazinë e madje edhe në një njësi shitjeje (tabakino).

Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet dhe theksojnë se pronari gëzon mbështetje dhe lidhje të forta, ndaj i frikësohen për përplasjet e mundshme. Ata kërkojnë mbrojtje dhe veprim të paanshëm, duke u lutur që të mbetet anonim identiteti i tyre.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit