Një denoncim ka mbërritur pranë redaksisë sonë lidhur me një skemë të dyshuar piramidale që po trondit qytetarët e zonës së Kavajës dhe Golemit. Në qendër të akuzave ndodhet një person me një të kaluar në administratën publike, Shkëlqim Dedja, i cili ka mbajtur poste të rëndësishme si drejtor i Zyrës së Punës në Kavajë.
Sipas denoncuesit, Dedja ka promovuar në mënyrë aktive një platformë të quajtur “FTUEXAPP”, duke i nxitur qytetarët të investonin para me premtimin e përfitimeve të mëdha. “Fusni lekë, por po u dogjëm do digjemi të gjithë bashkë”, thuhet se u shprehej ai njerëzve që i afronte në këtë skemë. Denoncuesi pohon se vetë është një nga viktimat e kësaj skeme.
Denoncuesi pretendon se Dedja ka marrë mbi 200,000 euro nga qytetarë të ndryshëm, duke i karikuar manualisht nga aplikacioni ku ai figuron si "admin". Me afrimin e datave të pagesave, u jepeshin shuma të vogla si “fitim”, për të joshur njerëzit të investonin sërish më shumë. Skema duket tipike për një model mashtrimi piramidal, ku fitimet e para jepen për të krijuar besim.
Ajo që e bën më shqetësuese këtë situatë është heshtja e institucioneve shtetërore. Denoncuesi hedh akuza të rënda duke sugjeruar se përhapja e kësaj platforme është lehtësuar nga vetë administrata shtetërore, duke lënë të kuptohet për një përfshirje apo mbrojtje të mundshme ndaj këtij aktiviteti të dyshimtë.
“Përshëndetje JOQ, dua të ngre një dyshim për platformat piramidale që kanë dalë kohët e fundit, se si u përhapën kaq shpejt. Kam prova dhe fakte që këto i ka shpërndarë administrata e shtetit dhe për këtë arsye edhe shteti po hesht. Një person i tillë është dhe Shkëlqim Dedja, që ka mbajtur poste jo pak të rëndësishme si drejtor i Zyrës së Punës në Kavajë, drejtor i DRPTSH në Tiranë, etj. Ky person ka bërë kërdinë në zonën e Kavajës dhe Golemit duke u thënë njerëzve: "Fusni lekë, por po u dogjëm do digjemi të gjithë bashkë", dhe unë jam një prej tyre. Dhe sot më vjen një mesazh që lekët u zhdukën, nuk merren më. Emri i platformës është “FTUEXAPP”, mbi 200.000 € e di unë që i ka marrë ky person në dorë njerëzve të ndryshëm dhe ja karikonte nga app vetë që lexonte “admin” dhe kur vinte data, u jepte disa lekë për t’i joshur që ata të zhyteshin përsëri”, thuhet në denoncim.
JOQ kërkon nga autoritetet përgjegjëse që të hetojnë menjëherë këtë rast dhe të japin shpjegime për përhapjen e kësaj platforme, që sipas burimeve po dëmton dhjetëra qytetarë në mbarë vendin.