Një denoncim shqetësues ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania lidhur me një kabinë elektrike në fshatin Radat, bashkia Dropull. Sipas qytetarit, kabina ndodhet në gjendje skandaloze, pa asnjë standard sigurie dhe përbën rrezik të përhershëm për banorët.
Kabina nuk ka rrethim për të mbajtur larg kafshët apo kalimtarët, nuk ka kaseta mbrojtëse për t’i bërë ballë kushteve atmosferike dhe shirave, ndërsa dera është e hapur duke lejuar këdo të futë duart në të. Një situatë e tillë jo vetëm që rrezikon jetën e qytetarëve, por edhe furnizimin me energji të të gjithë fshatit.
“Ky rrezik është i pranishëm në çdo moment. Mjafton të prekë dikush telat dhe mund të ndodhë tragjedia, ose dikush të ndërhyjë dhe të lërë gjithë fshatin pa drita. Kjo është ‘pasaporta europiane’ që na premtojnë”, shprehet qytetari.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga OSHEE për të siguruar kabinën dhe shmangur një ngjarje të rëndë që mund të ketë pasoja fatale.