Një denoncim i rëndë ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga banorët e zonës së Drithasit dhe Libonikut. Sipas tyre, firma që ka marrë përsipër riparimin e rrugës po tallet me punën dhe fondet publike, duke bërë ndërhyrje sipërfaqësore dhe pa asnjë standard teknik.
Qytetari që ka dërguar denoncimin tregon se kompania është mjaftuar vetëm me një gërvishtje të lehtë të asfaltit, ndërsa e njëjta metodë u përdor edhe vitin e kaluar, kur brenda një muaji riparimi u shkatërrua plotësisht.
“Kjo është një rrugë ku kalojnë mijëra mjete çdo ditë dhe nga amortizimi i saj po na shkatërrohen makinat. Nuk ka asnjë tabelë që të tregojë se cila firmë po punon, vetëm disa mjete dhe punëtorë anonimë. Por nuk duhet t’u dalë e palara kjo punë që po bëjnë”, shkruan qytetari, duke shoqëruar denoncimin edhe me video.
Banorët shprehen se mungesa e transparencës dhe cilësisë në këto ndërhyrje i lë ata çdo vit përballë të njëjtit problem, ndërkohë që paratë publike shpenzohen pa asnjë rezultat konkret.