Detaje të reja kanë dalë nga vrasja e stilit mafioz e ndodhur në Shkodër, ku mbeti i vrarë 34-vjeçari Kristian Kola. Sipas burimeve nga grupi hetimor, dyshohet se bëhet fjalë për një atentat të mirëorganizuar nga vrasës me pagesë. Autorët, të cilët lëviznin me motor dhe përdorën armë me silenciator, e kanë ndjekur viktimën për të paktën dy netë para se ta ekzekutonin. Më herët, ata dyshohet se e kanë pikasur në zonën e Bardhajve, por nuk kanë arritur të veprojnë atëherë.
Ngjarja ndodhi përballë një lokali pranë zonës së Kinemasë, ku Kola po qëndronte me dy persona të tjerë. Sipas dëshmitarëve, autorët janë parë të qarkullojnë me motor përreth zonës, duke vëzhguar lëvizjet e viktimës. Kur dy personat që ndodheshin me Kolën u larguan, autorët përllogariten momentin e duhur për të goditur. Njëri prej tyre u ul nga motori dhe e qëlloi disa herë me pistoletë me silenciator, duke e lënë të vdekur në vend. Më pas, të dy u larguan me shpejtësi në drejtim të paditur.
Pavarësisht hetimeve intensive, autorët ende nuk janë identifikuar. Policia po verifikon nëse është përdorur i njëjti motor në të dy rastet e ndjekjes dhe atentatit. Deri më tani, pista kryesore e hetimit mbetet ajo e një atentati të porositur, ndërsa viktima nuk rezulton të ketë pasur precedentë penalë apo përfshirje në konflikte të njohura, përveç një zënke të vogël që ishte mbyllur prej më shumë se një viti.