Një prind i një nxënësi ka ngritur shqetësimin për rritjen e padrejtë të çmimeve të librave shkollorë për klasën e 10-të, duke denoncuar faktin se në shumë raste, mbi çmimin origjinal të shtypur në kopertinë është vendosur një etiketë me një çmim më të lartë. Sipas tij, në çdo libër është i stampuar çmimi zyrtar i përcaktuar nga Ministria e Arsimit, por në libraritë dhe pikat e shitjes, prindërit po detyrohen të paguajnë më shumë.

Sipas denoncuesit, kjo praktikë e pajustifikuar krijon pasiguri dhe padrejtësi për prindërit dhe nxënësit, të cilët janë të detyruar t’i blejnë këto libra si pjesë e domosdoshme e procesit mësimor. Në përfundim, qytetari kërkon që kjo çështje të shqyrtohet nga institucionet përkatëse Ministria e Arsimit dhe Sportit me ministre Ogerta Manastirliun, Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut, të respektohet çmimi i përcaktuar nga botuesit dhe të ushtrohet kontroll më i rreptë ndaj mënyrës së shitjes së librave shkollorë.

Ai u bën thirrje autoriteteve arsimore dhe institucioneve përgjegjëse të mbikëqyrjes së tregut që të ndërhyjnë menjëherë për të ndaluar këtë abuzim dhe për të garantuar një proces të drejtë, të barabartë dhe transparent për të gjithë nxënësit dhe prindërit.
"Përshëndetje! Me këtë ankesë dua të shpreh shqetësimin tim lidhur me mënyrën se si janë vendosur çmimet e librave të shkollës për klasën e 10-të. Gjatë blerjes së librave kam vënë re se mbi çmimin origjinal të shtypur në kopertinë është vendosur një etiketë me një çmim më të lartë. Ky ndryshim krijon pasiguri dhe padrejtësi për prindërit dhe nxënësit, të cilët janë të detyruar t’i blejnë këto libra për arsimin e fëmijëve. Libri shkollor nuk është një produkt i zakonshëm tregu, por një mjet i domosdoshëm për formimin e nxënësve. Ndaj, rritja e çmimit në mënyrë arbitrare dhe pa asnjë njoftim zyrtar është e pajustifikueshme. Kjo situatë rëndon veçanërisht familjet që kanë disa fëmijë në shkollë dhe bie ndesh me parimet e barazisë dhe transparencës në arsim. Kërkoj që kjo çështje të shqyrtohet dhe të respektohet vlera origjinale e botuesit, pa u manipuluar nga shitësit. Gjithashtu, do të ishte e drejtë që të ketë një kontroll më të rreptë mbi mënyrën e shitjes, në mënyrë që të shmangen abuzime të tilla në të ardhmen", thuhet në denoncim.

