Një situatë tepër shqetësuese është regjistruar sot në Onkologjik, ku pacientë të diagnostikuar me sëmundje të rënda, që presin shërbime jetike për sëmundje tumorale, janë përballur me dyer të mbyllura.
Sipas denoncimit, në institucion nuk kishte asnjë mjek dhe nuk ishte vendosur asnjë njoftim për pacientët. Shumë prej tyre kishin prenotuar vizitat dhe trajtimet që prej dy javësh, me datë të caktuar 5 shtator 2025, por sot kanë mbetur në pritje, pa marrë asnjë shërbim.
“Dera e onkologjikut mbyllur, s’ka mjek, s’ka njoftim për pacientët. Kemi lënë datat para 2 javësh për këtë datë 05.09.2025, nuk ka përgjigje nga shteti”, shprehet qytetari në mesazhin e tij.
Rasti ka shkaktuar indinjatë dhe frikë te pacientët, të cilët vuajnë nga sëmundje që kërkojnë trajtim të vazhdueshëm e të rregullt. Mungesa e shërbimeve në një repart kaq delikat si Onkologjiku ngre shqetësime serioze për gjendjen e sistemit shëndetësor dhe përgjegjësinë e institucioneve shtetërore.