Shfaqja e filmit "Lejleku" të regjisorit të njohur shqiptar Isa Qosja u ndërpre në mënyrë të papritur më 3 shtator në festivalin e filmit Xhada në Podgoricë, pasi një grup personash shprehën zëshëm pakënaqësi për shkak se filmi ishte në gjuhën shqipe. Organizatorët e festivalit konfirmuan se, për arsye sigurie, vendosën të ndalnin shfaqjen dhe njoftuan se policia ka dalë në vendngjarje, por rezultatet e hetimit ende nuk janë bërë publike.
Ngjarja është dënuar ashpër nga organizatat joqeveritare në Mal të Zi, të cilat e kanë cilësuar si një sulm të rrezikshëm ndaj lirisë së shprehjes artistike dhe një akt urrejtjeje për shkak të përkatësisë kombëtare dhe gjuhës. Ato kanë kërkuar nga autoritetet zbardhjen e plotë të rastit dhe reagim të menjëhershëm nga partitë në pushtet, duke i akuzuar për krijimin e një klime provokimesh nacionaliste që po rrezikon harmoninë multietnike në vend.
Edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Mal të Zi, një nga mbështetësit financiarë të festivalit, ka shprehur shqetësim për incidentin, duke theksuar se liria e shprehjes artistike është një nga vlerat themelore të demokracisë. Filmi "Lejleku", që trajton temën e emigracionit në një fshat shqiptar në kufirin malazezo-shqiptar, është bashkëprodhim ndërkombëtar dhe mbështetur nga fondi evropian Eurimages.