Njëra nga urat kryesore të zonës turistike në Theth, e vendosur në Grunas poshtë ujëvarës, është dëmtuar rëndë dhe pjesërisht është shembur. Gjendja aktuale e saj përbën rrezik serioz për kalimtarët dhe turistët që vizitojnë zonën çdo ditë, veçanërisht gjatë sezonit të vjeshtës kur reshjet janë më të shpeshta.
"Këtu jemi në urën e Grunas, ku shumë njerëz kalojnë. Është një rrezik real dhe kjo falë përkushtimit të zonave të mbrojtura dhe ministres së turizmit Mirela Karapulos, ministres antishqiptare, axhente e theksuar greke që i ka bërë dëm turizmit shqiptar. Është vështirë të kalosh kur nisin shirat, dërrasat kanë rënë. Është rrezik", shprehet qytetari duke iu drejtuar ministres së turizmit Mirela Kumbaros.
Një tjetër urë që ndodhet në pikën ku zbarkojnë shumica e vizitorëve në Ndërlysaj–Theth, është gjithashtu në gjendje të keqe dhe ka nevojë për ndërhyrje të menjëhershme. Të dyja këto ura janë të domosdoshme për kalimin e përroskave të rrezikshme që formohen gjatë shirave.
Me fillimin e sezonit të shirave, kalimi i përrenjve bëhet i pamundur pa ura të sigurta. Banorët dhe operatorët turistikë të zonës i bëjnë thirrje bashkisë Shkodër me kryetar Benet Beci dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për ndërhyrje të shpejtë nga institucionet përkatëse, për të shmangur ndonjë incident të mundshëm dhe për të siguruar vijueshmërinë e turizmit në këtë perlë natyrore të Shqipërisë.