Personi që shihni në foto është 34-vjeçari Kristjan Kola, i cili u ekzekutua mbrëmjen e sotme në qytetin e Shkodrës.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 22:30, në lagjen “Vasil Shanto”, pranë “Kinema Republika”, ku Kola ndodhej ulur në ambientet e jashtme të një lokali. Dy persona të maskuar, që lëviznin me motor të zi dhe mbanin skafandra, iu afruan dhe hapën zjarr drejt tij, duke e lënë të vdekur në vend.
Pamjet e siguruara nga vendngjarja që publikuam më herët tregonin trupin e pajetë të viktimës ende në lokal, ndërsa zona është rrethuar nga forca të shumta policie. Atentati ndodhi në një prej pikave më të mbushura me kamera sigurie në qendër të qytetit, çka pritet të ndihmojë hetuesit në zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.
Menjëherë pas krimit, autorët u larguan me shpejtësi pa lënë gjurmë. Policia e Shkodrës ka ngritur pika kontrolli në të gjitha daljet e qytetit dhe po kryen kontrolle intensive në zona të ndryshme, me qëllim kapjen e tyre.
Ngjarja ka shkaktuar panik të madh te qytetarët që ndodheshin aty pranë në momentin e atentatit. Deri tani, shkaqet dhe motivet e ekzekutimit mbeten të paqarta.
Njoftimi i Policisë:
Rreth orës 22:30, në lagjen ‘Vasil Shanto’, në rrethana ende të paqarta, dy shtetas ende të paidentifikuar kanë vrarë me armë zjarri shtetasin K. K., 34 vjeç, i cili ndodhej në ambientet e jashtme të një lokali.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, janë ngritur pika kontrolli në dalje të qytetit dhe vijojnë kontrollet në zonë.
Është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili nën drejtimin e Prokurorisë po punon intensivisht për sqarimin e rrethanave, dokumentimin ligjor, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve.