Qyteti i Shkodrës u trondit mbrëmjen e sotme nga një atentat mafioz i ndodhur në lagjen “Vasil Shanto”, pranë “Kinema Republika”. Raportohet se viktimë ka mbetur 34-vjeçari, Kristjan Kola.
Ngjarja ndodhi rreth orës 22:30 të mbrëmjes, kur Kola ishte ulur në ambientet e jashtme të një lokali në qendër të qytetit. Në atë moment, dy persona të maskuar me skafandra dhe të lëvizur me motor, iu afruan dhe hapën zjarr ndaj tij, duke e lënë të vdekur në vend.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë trupin e viktimës ende në lokal, ndërkohë që forca të shumta policie kanë rrethuar zonën. Ngjarja ka ndodhur në një pikë të mbushur me kamera sigurie, të cilat pritet të ndihmojnë hetuesit në zbardhjen e plotë të atentatit dhe identifikimin e autorëve.
Menjëherë pas krimit, autorët u larguan nga vendi i ngjarjes pa lënë gjurmë. Policia ka ngritur pika kontrolli në të gjitha daljet e qytetit dhe po kryen kontrolle të imtësishme në zona të ndryshme, me qëllim kapjen e tyre.
Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për sqarimin e rrethanave, dokumentimin ligjor dhe identifikimin e autorëve.
Atentati ka shkaktuar panik tek qytetarët e shumtë që ndodheshin në zonë në momentin e ngjarjes. Shkaqet dhe motivet e kësaj vrasjeje mbeten ende të paqarta.