Një ngjarje e cila me plot gojën mund të quhet e rëndomtë ka ndodhur sot në një dyqan, ku një kliente ka paguar me një kartëmonedhë 100 euro fallco. Fillimisht, punonjësja e arkës nuk e ka kuptuar, pasi kartëmonedha ka kaluar edhe te makina e verifikimit. Dyshimet lindën vetëm pasi u bë kontrolli me lapsin special dhe u vu re se paratë ishin të falsifikuara.
Në ato momente, stafi i dyqanit ka hapur kamerat e sigurisë për të parë drejtimin që kishte marrë vajza. Fillimisht u mendua si një rast i rastësishëm, por pamjet e jashtme treguan diçka më ndryshe: një djalë e priste jashtë, ndërsa në momentin që klientja doli nga dyqani, ajo mbuloi fytyrën me dorë sapo pa kamerën e sigurisë me qëllim që fytyra e saj të mos dallohej.
Pamjet e ngjarjes janë publikuar në Instagramin e biznesit, ku menjëherë ka reaguar edhe një tjetër dyqan. Ky i fundit ka treguar se e njëjta vajzë kishte kryer të njëjtin veprim vetëm dy ditë më parë edhe tek ata.
Bizneset i bëjnë thirrje qytetarëve dhe kolegëve të tyre që të jenë të kujdesshëm për të shmangur raste të tilla dhe për të mos lejuar dëmtimin e punonjësve apo bizneseve të ndershme. Thirrje i bëhet dhe policisë së shtetit që të vë para përgjegjësisë “çiftin hajdut”, para se të kryejnë të njëjtën veprim dhe të dëmtojnë të tjera biznese apo punëtore të cilat do të detyrohen të paguajnë dëmin.
Denoncimi:
Përshëndetje JOQ, Na falni për shqetësimin!
Ditën e sotme, në dyqanin tonë kemi konstatuar një rast ku një kliente ka paguar me një kartëmonedhë 100€ fallco. Për momentin, vajza e arkës nuk e kuptoi, edhe pse e kaloi tek makina e verifikimit. Më pas, duke e krahasuar me një kartëmonedhë tjetër 100€, me anë të lapsit u bë e qartë që ishte false.
Në momentin që e kuptuam, hapëm kamerat për të parë nga shkoi vajza. Fillimisht menduam se mund të ishte rastësore, por kur pamë pamjet e jashtme, kuptuam që një djalë e priste jashtë dyqanit. Në momentin që vajza doli, pa kamerën dhe vuri dorën në fytyrë për të mos u dalluar.
Fatmirësisht, ne i kemi të gjitha pamjet dhe i kemi postuar edhe në Instagramin tonë. Madje, një biznes tjetër komentoi se e njëjta vajzë kishte bërë të njëjtin veprim edhe tek ata, dy ditë më parë.
Ju lutemi, nëse është e mundur, publikojini edhe ju këto pamje, në mënyrë që të mos dëmtohen më biznese të tjera dhe të mbrohen vajzat që punojnë në dyqane.