Ndeshja miqësore me Gjibraltarin, emra të rinj zbresin në fushë

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 04.09.2025, 17:53

Shqipëria zbret sot në fushë në transfertë ndaj Gjibraltarit, në atë që është ndeshja e parë historike mes dy përfaqësueseve. Një duel që në letër nuk ka shumë peshë kompetitive, por që për kuqezinjtë shërben si provë gjenerale përpara sfidës së vërtetë – kualifikuesja e Botërorit ndaj Letonisë, që do të luhet të martën më 9 shtator në “Air Albania”.

Trajneri Silvinjo e ka bërë të qartë se kjo përballje do të përdoret për të dhënë minuta lojtarëve që kanë pasur më pak hapësira, por edhe për të testuar skema e kombinime të ndryshme përpara ndeshjes ndaj Letonisë, ku është përqendruar i gjithë fokusi i kuqezinjve.

Eksperimentet janë të dukshme që nga porta, ku titullar është vendosur Dajsinani, një prej përfaqësuesve të Superiores. Në mbrojtje, Aliji zë krahun e majtë, ndërsa Hysaj rikthehet në të djathtën. Në qendër spikat Kumbulla, ndërsa risi është përfshirja e Maldini Kaçurrit, i ftuar si “emergjencë” pas largimit të Bajramit.

Në mesfushë Silvinjo ka zgjedhur një treshe të re: Berisha, Pajaziti dhe Bajrami, duke tentuar të krijojë balancë mes energjisë së të rinjve dhe eksperiencës. Ndërsa në repartin e avancuar, sulmi është po ashtu i riorganizuar Daku vendoset në qendër, me Asanin në të djathtën dhe Armando Brojën të spostuar në krahun e majtë.

Edhe pse Shqipëria është favorit absolut ndaj Gjibraltarit, ndeshja e sotme shihet më shumë si një laborator idesh sesa një duel rezultatesh. Objektivi kryesor është gjetja e formës më të mirë dhe konsolidimi i grupit për sfidën jetike të së martës kundër Letonisë, ku kuqezinjtë do të synojnë tre pikët që mbajnë gjallë ëndrrën e Botërorit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit