Disa javë më parë qeveria mori një iniciativë kombëtare që përfshinte lirimin e hapësirave publike të zaptuara padrejtësisht nga bizneset, të cilat i kishin kthyer ambientet e përbashkëta në ambiente me qëllim fitimi.
Pavarësisht se shumë objekte pa leje u shembën, dhe disa hapësira të zaptuara iu kthyen qytetarëve, problemi duket se nuk ka marrë zgjidhje të plotë. Edhe më parë është raportuar nga ana jonë se trotuaret nuk janë liruar plotësisht, por vazhdojnë të jetë të zaptuara padrejtësisht nga pronarët e bizneseve.
Rasti më i fundit është në zonën e Kombinatit në Tiranë, ku një qytetare tregon me foto se si karriget e bizneseve kanë zënë trotuaret e këmbësorëve, duke i detyruar këta të fundit ecin anës rrugës së makinave, ku shpesh u rrezikohet jeta.
“Përshëndetje JOQ Albania, jam një banore e Kombinatit! Vërtetë u liruan lulishtet, por trotuarët këtu në Kombinat janë plot me karrige, sidomos tek Mapot lart ku njerëzit detyrohen të ecin në rrugën ku kalojnë makinat. Po rrezikojmë jetën se trotuaret janë të bllokuara me karrige,” shkruan ajo në një mesazh të bashkëngjitur me foto.
Në pamje shihet se si qytetarët qëndrojnë të pashqetësuar duke pirë kafe në tavolinat që janë vendosur në trotuar, teksa pronarët e këtyre bizneseve nuk u tremben ndëshkimeve ligjore të paralajmëruara.
Kjo situatë vendos në pikëpyetje të gjithë aksionin për lirimin e hapësirave publike. A u liruan me të vërtetë hapësirat, apo ajo që ndodhi ishte vetëm një “show” me shembjen e disa shtesave të lokaleve?!