Një histori prekëse vjen nga Shijaku. Aty, mes një shtëpie të thjeshtë dhe kushteve të rënda, jeton Shega Luku, një grua që e ka kaluar jetën duke luftuar me dhimbjen, mungesat dhe peshën e sakrificës. Shega nuk mund të ecë. Lëviz vetëm me ndihmën e një karroce invaliditeti, e cila sot është e dëmtuar dhe mezi e mban. Por kjo nuk e ka ndalur kurrë zemrën e saj të madhe.
Prej vitesh, ajo është bërë nënë dhe baba për nipin e saj 12-vjeçar. Prindërit e tij e kanë braktisur, por Shega nuk e ka menduar kurrë të dorëzohet. Me forcat që i kanë mbetur, ajo ka rritur fëmijën mes shumë vështirësive, duke i dhënë dashuri dhe përkujdesje.
Të hënën, si gjithë fëmijët e Shqipërisë, nipi i saj do të nisë shkollën. Por Shega e pret këtë ditë me lot, jo nga gëzimi, por nga frika se nuk ka mundësi t’i sigurojë atij as gjërat më të thjeshta që i duhen për të qenë i barabartë me shokët e klasës.
E vetmja gjë që kjo gjyshe kërkon sot është një karrocë invaliditeti për të mundur të lëvizë, dhe pak ndihma për nipin e saj.
Kushdo që ka mundësi, le t’i japë një dorë kësaj gruaje të fortë, mund ta telefonojë në këtë numër 068 51 26 562.
Mesazhi i plotë:
“Përshëndetje, jam një zonjë nga Shijaku. Ju lutem kam nevojë për ndihmën e shqiptarëve për të më siguruar një karrocë invaliditeti. Nuk kam mundësi për ta blerë sepse jam në gjendje të mjerueshme dhe pa kushte.
Jam një gjyshe që po rris nipin e braktisur nga të dy prindërit dhe po kërkoj çfarëdo lloj ndihme. Nipi vazhdon shkollën të hënën, po unë skam mundësi ekonomike që t’i ble gjërat që i duhen.
Kush ka mundësi të më ndihmojë, 068 51 26 562.”