SI SOT/ Dita e shenjtërimit të Nënë Terezës, krenaria e kombit shqiptar

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 05.09.2025, 08:00

Sot, më 5 shtator, shënohet Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës, e shpallur festë zyrtare në Shqipëri, duke shënuar kështu vitin e nëntë që kjo datë nderohet me veçanti. Ky ndryshim erdhi pas miratimit të një ligji të ri nga Këshilli i Ministrave, i cili zëvendësoi datën 19 shtator, Dita e Lumturimit të Nënë Terezës, me 5 shtator ditën e shenjtërimit të saj.

Ky është një moment i veçantë, jo vetëm për shqiptarët, por për gjithë botën, duke pasur parasysh ndikimin e jashtëzakonshëm që Nënë Tereza ka pasur mbi jetët e miliona njerëzve në nevojë. Në këtë datë, më 5 shtator 2016, në Sheshin “Shën Pjetri” në Vatikan, Papa Françesku shpalli Nënë Terezën shenjtore, pas njohjes së dy mrekullive që ndodhën duke përfshirë shërimin e të sëmurëve.

Nënë Tereza, e lindur si Anjezë Gonxhe Bojaxhiu në Shkup më 26 gusht 1910, la një trashëgimi të pashlyeshme në mbarë botën, veçanërisht në Kalkutë, Indi, ku themeloi strehimore dhe dhomë pritjeje për ata që jetonin në varfëri të thellë. Ajo u bë një simbol i përkushtimit dhe dashurisë për njerëzit në nevojë, duke u njohur në mbarë botën si “Nënë Tereza”.

“Të duash do të thotë të bësh gjëra të vogla me dashuri të madhe”, është kjo një nga shprehjet frymëzuese të Shën Nënë Terezës së mirësisë. Për shqiptarët, Nënë Tereza mbetet një simbol i humanizmit dhe i krenarisë kombëtare, një figurë që frymëzon të gjithë për të bërë një botë më të mirë, me paqe, pa luftra dhe me dashuri.

Kjo ditë shenjtërimi është një mundësi për të reflektuar mbi vlerat e larta që Nënë Tereza na la, dashurinë për njerëzit, thjeshtësinë dhe përkushtimin ndaj jetëve të vuajtura. Shqipëria, vendi i saj i origjinës, e nderon atë çdo vit më 5 shtator, duke e kujtuar me krenari dhe duke mbajtur gjallë kujtimin e një shenjëtores që preku zemrat e miliona njerëzve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit