Medikamente të skaduara dhe 1 mln € fitime të fshehura, i vihet shiriti spitalit “MediCare”

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 04.09.2025, 12:47

Një spital privat është bllokuar ditën e sotme në Tiranë, bëhet fjalë për klinikën "MediCare" e cila ndodhet në zonën e Zogut të Zi.

Operacioni “Bilanci” ka hedhur dritë mbi një skandal që ka çuar në arrestimin e administratorit të spitalit privat “Medi Care” pjesë e Sante Plus Group , Edmond Zaja, ndërsa dy aksionerët e këtij subjekti, Bilal Kara shtetas turk dhe Geriana Arapi, janë shpallur në kërkim dhe po kërkohen nga autoritetet.

Hetimet e kryera për disa muaj me radhë kanë hedhur dritë mbi një skemë të sofistikuar abuzimi financiar dhe shkeljesh ligjore. Sipas informacionit zyrtar, spitali kishte fshehur fitime që kalonin shifrën prej 1 milion eurosh, ndërkohë që përdorte produkte të ndaluara në shërbimet shëndetësore, duke vënë në rrezik serioz pacientët. Përveç kësaj, është konstatuar punësimi i personave pa sigurime shoqërore, çka përbën shkelje të rëndë të të drejtave të punonjësve.

Gjatë kontrollit janë sekuestruar 100 blloqe mandatesh të pafiskalizuar dhe 27 lloje medikamentesh të dyshuara si të kontrabanduara apo të skaduar, të cilat dyshohet se janë përdorur në trajtimin e pacientëve. Këto fakte e rëndojnë më tej dosjen dhe tregojnë dimensionet e një skandali që nuk lidhet vetëm me evazion fiskal, por edhe me abuzim në sektorin më delikat atë të shëndetësisë.

Hetimet mbi këtë rast vijojnë, ndërsa autoritetet janë në kërkim të dy aksionerëve të shpallur në kërkim, me qëllim zbardhjen e plotë të skemës dhe identifikimin e të gjitha përgjegjësive ligjore.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit