Bilal turku bënte namin te “Medicare” me ilaçe të skaduara, fsheh edhe 1 milionë € të ardhura

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 04.09.2025, 14:16

Një tjetër faqe e zezë iu shtua sot historisë së shëndetësisë në Shqipëri. Policia i vuri shiritin spitalit “MediCare” pranë Zogut të Zi, pjesë e “Sante Plus Group”, duke zbuluar një skandal që të ngjeth mishin: ilaçe të skaduara u shiteshin pacientëve si terapi shpëtimi, fitime prej gati 1 milion eurosh fshiheshin në xhepat e pronarëve, ndërsa punonjësit e kësaj kompanie rezultonin të pasiguruar.

Në pranga përfundoi Edmond Zaja një 62-vjeçar i listuar si administrator, por që në të vërtetë nuk kishte lidhje me drejtimin e spitalit. “Administrator”-i i famshëm, sipas burimeve për JOQ Albania, ka pasur rolin e kuzhinierit dhe shoferit në kompaninë e turkut, Bilal Kara. Pra, nga gatimi i supës tek drejtimi i një spitali një histori që vetëm Shqipëria mund ta prodhojë, pra me pak fjalë “kukull” në duart e pronarit!

Ndërkohë, pronari i vërtetë, Bilal Kara, dhe bashkëpronarja Gerina Arapi janë shpallur në kërkim. Kara, sipas QKB-së, mban 100% të aksioneve të spitalit, por mesa duket mban edhe në dorë jetën e pacientëve, të cilët përballeshin me trajtime që mund të çonin deri në fatalitet.

Skandali nxjerr lakuriq realitetin e shëndetësisë private: prapa reklamave luksoze dhe logove me ngjyra të qeta, mund të fshihet ferri i abuzimit ku pacientët përdoren si kavie, punëtorët si skllevër dhe ligji si letër higjienike.

Kujtojmë se në të njëjtin spital ku operonte sot “MediCare” ka operuar kohë më parë “Sante Plus” e cila u mbyll nga policia, duket se e vetmja gjë që ka ndryshuar është emri dhe nipt-i për të abuzuar sërish dhe për të mos u zbuluar por pasukses.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit