Gjakderdhje, luks e miliona € të sekuestruara, Le Figaro: Klani famëkeq “Çopja”, ndër më të rrezikshmit në Europë

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 04.09.2025, 11:56

Në fillim të gushtit, një nga organizatat kriminale më të rrezikshme shqiptare mori një goditje të fortë, që tronditi jo vetëm Shqipërinë, por edhe mediat ndërkombëtare. Policia shqiptare, me mbështetjen e autoriteteve të Francës, Belgjikës, Gjermanisë, Holandës dhe Italisë, ndërmori një aksion të ri kundër pasurive të klanit famëkeq Çopja, i njohur si një nga furnizuesit kryesorë të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës.

Pas disa vitesh hetimesh, u arrestuan 10 drejtues të lartë të organizatës, ndërsa u sekuestruan një kompleks hotelier, vila me pishina, apartamente dhe makina luksoze me vlerë miliona euro. Vetëm në këtë operacion u gjetën 120 mijë euro cash. Por sipas hetuesve ndërkombëtarë, ky ishte vetëm “maja e ajsbergut”: klani Çopja ka ngritur një nga perandoritë mafioze më të mëdha në kontinent.

Nga Elbasani në laboratorët e kokainës në Europë

Media franceze e nis historinë që në hapat e parë të tyre në vitin 2007, kur Franc Çopja, ende 17 vjeç, hyri në botën e drogës dhe tërhoqi pas vetes edhe vëllain e madh, Hajdarin. Shumë shpejt ata hynë në kontakt me kartelet e Paraguajit dhe Kolumbisë, duke negociuar çmime dhe organizuar ngarkesa të mëdha kokaine drejt Europës.

Në pak vite, Çopjat u shndërruan në pionierët e laboratorëve të kokainës në Europë, duke ngritur rrjete prodhimi në Belgjikë e Holandë. Vetëm në vitin 2020, sipas dosjeve hetimore, ata futën në treg të paktën 28 tonë kokainë.

Një vit më vonë, në tetor 2021, policia belge zbarkoi me mbi 1.100 forca në 11 laboratorë të lidhur me Çopjat, ku u sekuestruan 32 tonë drogë dhe pasuri mbi 7 milionë euro.

Goditjet e mëdha ndërkombëtare

Në korrik 2024, operacioni i koduar “Gorgonë” i Europol solli arrestimin e 15 anëtarëve të tjerë të klanit në Tiranë, sekuestrimin e pasurive dhe 1 milion eurove në para të thata. Hetuesit zbuluan gjithashtu se rrjeti ishte ekspozuar pas mbylljes së aplikacionit të komunikimit të krimit, SkyECC, në vitin 2021, ku Çopjat kishin lënë gjurmë të qarta.

Fitimet kolosale u investuan në pasuri të paluajtshme, biznese dhe vila luksoze. Franc Çopja madje zhvendosi bazën e klanit në Dubai, ku investoi rreth 200 milionë euro.

Gjakderdhja dhe fundi i “mbretërisë”

Pasuria e jashtëzakonshme solli edhe luftëra të përgjakshme. Në vitet 2019–2020, klani Çopja hyri në konflikt të hapur me rivalët Alibej, që përfundoi me të paktën nëntë vrasje mafioze në Belgjikë e Shqipëri. Më i bujshmi ishte ekzekutimi i rivalit Ardit Spahiu në lagjen Molenbeek të Brukselit.

Në vitin 2023, autoritetet e Dubait arrestuan Franc Çopjën alias Franc Gergely, dhe e ekstraduan në Belgjikë për t’u gjykuar për një listë të gjatë akuzash: vrasje, trafik droge, armë, korrupsion dhe pastrim parash. Hajdari u arrestua vitin pasues po në Emiratet e Bashkuara.

Sot, pas serisë së arrestimeve dhe sekuestrimeve të fundit, duket se perandoria e Çopjave po shkon drejt shkatërrimit, nën presionin e bashkëpunimit ndërkombëtar policor. Por ekspertët paralajmërojnë: boshllëku i lënë nga një klan kaq i fuqishëm do të synohet menjëherë nga grupe të tjera kriminale, që mund të jenë po aq të pamëshirshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit