Plas sherri mes Behgjet Pacollit dhe aksionerit për aeroportin e Vlorës, shkarkon administratorin

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 04.09.2025, 10:37

Aeroporti i Vlorës, i cili pritej të hapej sipas premtimit të kryeministrit Edi Rama për këtë sezon turistik, është zhytur në një krizë të re menaxheriale dhe aksionare.

Biznesmeni shqiptar i Kosovës Behgjet Pacolli ka marrë vendimin të shkarkojë administratorin e shoqërisë koncesionare Vlora International Airport, Valon Lluka. Lëvizja u bë dy ditë më parë, në mënyrë të njëanshme dhe vetëm me votat e kompanisë së tij Mabco Construction. Aksioneri i minorancës, 2A Group, nuk ka qenë i pranishëm në mbledhje.

Përplasjet mes aksionerëve kanë marrë dhenë publikisht. 2A Group, që zyrtarisht zotëron vetëm 2% të aksioneve, pretendon se në bazë të një marrëveshjeje të vitit 2022 i takojnë plot 47%. Dokumenti ka hedhur dritë mbi marrëveshje të fshehta mes palëve, të cilat Mabco Construction nuk i njeh duke këmbëngulur se kontrollon 98% të aksioneve.

Fillimisht, Pacolli u përpoq të rrëzonte pretendimet e skandalit të bërë publik, por vetëm pak kohë më vonë, aksioneri i minorancës Valon Ademi e akuzoi hapur për mashtrim.

Nuk është e qartë nëse shkarkimi i Llukës lidhet drejtpërdrejt me konfliktin e hapur mes dy palëve, por tensionet duket se kanë krijuar një krizë të thellë mes aksionerësh në projektin e aeroportit të Vlorës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit