Dje, JOQ Albania publikoi një video alarmante të regjistruar nga një qytetar, ku shfaqet një kamion i tonazhit të rëndë duke kryer një parakalim të rrezikshëm në aksin rrugor që lidh Kakavijën me Gjirokastrën. Pamjet tregojnë momentin kur drejtuesi i kamionit, duke udhëtuar me shpejtësi të lartë dhe me mjetin e gjatë, kalon jo vetëm 2-3 automjete, por gjithë kolonën që ndodhej përpara, duke rrezikuar seriozisht jetën e shoferëve të tjerë.
Ky veprim i rrezikshëm ka shkaktuar shqetësim të madh, pasi një manovër e tillë mund të kishte sjellë pasoja fatale nëse përballë do të kishte ardhur një tjetër automjet. Qytetari që dërgoi video-denoncimin bëri një apel për autoritetet, duke kërkuar reagim urgjent për të parandaluar raste të tilla të rrezikshme. Pas publikimit të videos nga JOQ Albania, ka reaguar Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër, e cila ka kryer verifikimet e nevojshme dhe ka identifikuar drejtuesin e kamionit. Pas hetimeve, ai është ndëshkuar me një masë administrative prej 40,000 lekësh për shkelje të Kodit Rrugor.
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër
Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, në të cilën shfaqet një kamion që kryen parakalim të rrezikshëm, në aksin rrugor “Kakavije-Gjirokastër”, bëjmë me dije se: Policia Rrugore e Gjirokastrës ka kryer verifikimet për rastin, ka identifikuar drejtuesin e kamionit dhe e ka ndëshkuar me masë administrative 40 000 lekë, në bazë të Kodit Rrugor.
Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e shkeljeve dhe të paligjshmërive dhe i fton sërish ata që të denoncojnë në numrin 112, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.