Shqipëria do të ngrejë lart emrin e saj në arenën ndërkombëtare të sportit falë një vajze të re nga Radhima. Esmeralda Novruzaj, vetëm 23 vjeçe, është gati të hyjë në histori si boksierja e parë shqiptare që do të marrë pjesë në një Kampionat Botëror. Eventi do të zhvillohet nga 4 deri më 14 shtator në Liverpool të Mbretërisë së Bashkuar.
E shoqëruar nga trajneri Sead Bushati, Novruzaj jo vetëm që përfaqëson Shqipërinë, por edhe krenarinë e të qenit e vetmja femër në ekipin kombëtar olimpik të boksit.
Rruga e saj drejt këtij suksesi është e mbushur me sfida, por edhe me arritje të mëdha. Vitin e kaluar, Esmeralda fitoi medaljen e bronztë në Kampionatin Europian U23 në Sofje, duke u renditur mes më të mirave të kontinentit. Ajo mban gjithashtu titullin e kampiones kombëtare, duke u bërë një emër i rëndësishëm në sportet e kontaktit në vend.
“Jam vajza e parë shqiptare që do të marr pjesë në një Botëror boksi. Ky është një moment historik për sportin shqiptar dhe një ëndërr e madhe për mua. Do të përfaqësoj me krenari Shqipërinë dhe shpresoj të frymëzoj edhe shumë vajza të tjera,” u shpreh Novruzaj.
Pjesëmarrja e saj shihet si një hap i madh përpara për boksin shqiptar, i cili ka nevojë për më shumë mbështetje dhe vizibilitet. Ajo është një shpresë e re që vajzat të kenë më shumë hapësirë në arenën sportive, brenda dhe jashtë kufijve.
Në shtator, sytë e sportdashësve shqiptarë do të jenë nga Liverpooli, aty ku Esmeralda Novruzaj do të ngjitet në ring duke mbajtur jo vetëm dorëzat, por edhe ëndrrat e një kombi të tërë.