Tragjedi në Lisbonë: Tramvaji del nga shinat, të paktën 15 viktima dhe 18 të plagosur

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 04.09.2025, 01:18

Një ngjarje e rëndë ka tronditur kryeqytetin portugez Lisbonë mbrëmjen e së mërkurës, ku tramvaji i famshëm “Gloria” doli nga shinat dhe u përplas me një ndërtesë pranë Avenida da Liberdade.

Sipas shërbimeve të emergjencës, të paktën 15 persona kanë humbur jetën dhe 18 të tjerë kanë mbetur të plagosur. Pesë prej tyre janë në gjendje të rëndë, ndërsa 13 të tjerë, mes tyre edhe një fëmijë, kanë marrë lëndime më të lehta. Fillimisht disa udhëtarë mbetën të bllokuar në vendngjarje, por më pas u shpëtuan.

Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë vagonin e verdhë të kthyer përmbys dhe pothuajse të shkatërruar, ndërsa tymi mbulonte zonën dhe njerëzit largoheshin me panik.

Dëshmitarë të ngjarjes për mediat portugeze thanë se funikulari ishte jashtë kontrollit dhe pa frena. “U përplas me një ndërtesë me një forcë brutale dhe u shemb si një kuti kartoni”, – tha një prej tyre.

Shkaqet e aksidentit ende nuk janë zbardhur, por mediat portugeze raportojnë se një kabllo është shkëputur gjatë lëvizjes, duke bërë që mjeti të humbiste kontrollin. Kompania e transportit Carris, e cila menaxhon linjën, njoftoi se ka hapur një hetim dhe se të gjitha protokollet e mirëmbajtjes ishin respektuar.

Autoritetet portugeze kanë shpallur zi, ndërsa Presidenti Marcelo Rebelo de Sousa dhe kryebashkiaku i Lisbonës, Carlos Moedas, shprehën ngushëllimet për familjet e viktimave. Edhe Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, si dhe Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez, shprehën solidaritet dhe keqardhje për tragjedinë.

Tramvaji “Gloria”, i hapur për herë të parë në vitin 1885 dhe i elektrifikuar tri dekada më vonë, është një nga atraksionet më të famshme të Lisbonës. Mjeti i verdhë përshkon çdo ditë 275 metra nga sheshi Restauradores deri në lagjen e njohur Bairro Alto, duke qenë një simbol i qytetit dhe një atraksion i madh turistik.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit