Një denoncim ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një qytetar nga Tirana, i cili shprehet se prej ditësh po vuajnë pasojat e muzikës me volum të lartë që vijon deri pas mesnate pranë banesave të tyre.
Qytetari shprehet se festa ka nisur që të premten, duke vijuar me ahengje çdo natë deri në orën 12:00, duke lënë pa gjumë familjet e tëra. Situata është bërë edhe më e rëndë për shkak të një foshnje vetëm 8-muajshe, e cila, sipas prindërve, është çoroditur plotësisht nga zhurma dhe ka humbur rutinën e gjumit.
“Rajonin nr. 4 e kemi marrë disa herë për të ardhur për këtë muzikë që ka që të premten. Fëmijën 8 muajsh na e lanë pa gjumë. Policia shkon, i thotë të ulin muzikën, ata e ulin njëherë, pastaj e ngrenë volumin më keq. Na kanë çoroditur fare”, – shkruan qytetari.
Banorët pretendojnë se kanë bërë disa herë thirrje policisë për ndërhyrje, por reagimi ka qenë i vakët dhe pa rezultat konkret. “Një polic shkoi te dera, as i ra, qëndroi 3 sekonda dhe iku. Mjerë ne për policinë që na shtyn për sherr, jo që të na zgjidhë hallin”, – vijon më tej qytetari.
Edhe pse ligji lejon muzikën deri në orën 00:00, kur kjo ndodh pranë qendrave të banuara, bëhet e papranueshme që qetësia e dhjetëra familjeve të sakrifikohet për qejfin e disa të tjerëve.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet, për të vendosur rend dhe për të garantuar qetësinë që çdo familje meriton në orët e vona të natës.