Një emigrant shqiptar që jeton dhe punon në Norvegji i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një apel për bashkëkombasit e tij në Shqipëri. Ai ka dërguar një video, ku shihet trafiku i rënduar në Norvegji, por ku askush nuk guxon të bëjë parakalim, ndryshe nga sa ndodh çdo ditë në Shqipëri.
Në mesazhin e tij, ai thekson se në Norvegji shoferët tregojnë durim, presin në radhë dhe respektojnë rregullat e qarkullimit, ndërsa në Shqipëri shihen shpesh skena të rrezikshme nga shoferët e paduruar që bëjnë parakalime të gabuara, duke vënë në rrezik jetën e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.
“Unë jetoj në Norvegji dhe jam shofer në një kompani, çdo ditë ndeshem me trafik. Nuk guxon njeri të bëjë parakalim. Të gjithë presim me durim derisa të shkojmë në shtëpi. Kurse në Shqipëri, nxjerrin zorret. Merrni shembull nga bota, respektoni rregullat dhe udhëtoni me kujdes”, – shprehet ai në mesazhin e tij.
Qytetari apelon që shoferët shqiptarë të ndryshojnë kulturën e qarkullimit, duke treguar më shumë kujdes dhe respekt, sepse vetëm kështu mund të shmangen tragjeditë në rrugë.