Një ushtarak i Forcave të Armatosura ka denoncuar në redaksinë tonë situatën aktuale me listat e shpërblimeve për pjesëmarrje në operacionet e fikjes së zjarreve, lajm që kryeministri Edi Rama dje e bëri publik.
Sipas tij, ndonëse shpërblimet janë parashikuar për ata që kanë marrë realisht pjesë në operacionet e verës, listat janë hartuar në mënyrë selektive nga komandantët, duke përfshirë edhe emra të personave që nuk kanë qenë fare të përfshirë. Madje, në disa raste, sipas denoncuesit, ata që nuk kanë qenë fare prezent në luftën kundër zjarreve rezultojnë me deri në 30 ditë pune të deklaruara.
Nga ana tjetër, duke folur për veten e tij, ushtaraku thotë se ndonëse ka qenë i pranishëm 18 ditë në fikjen e zjarreve, është përfshirë në listë vetëm për një ditë dhe për rrjedhojë do të përfitojë vetëm një pagë shtesë, nga tri që i takonin sipas rregullores. Ai thekson se çdo lëvizje gjatë operacioneve dokumentohet me autorizime dhe urdhra zyrtarë, ndaj çdo abuzim është lehtësisht i verifikueshëm.
Ai ngre gjithashtu shqetësimin se një pjesë e zyrtarëve dhe drejtuesve lokalë kanë përfshirë veten në listat e shpërblimit, ndonëse nuk kanë qenë të pranishëm në terren.
Ushtarakët kërkojnë verifikim të menjëhershëm të listave dhe ndëshkim për çdo përgjegjës që ka manipuluar dokumentacionin zyrtar pasi kjo situatë, nëse vërtetohet, përbën jo vetëm një padrejtësi ndaj atyre që rrezikuan jetën përballë flakëve, por edhe një abuzim të rëndë me fondet publike.
Denoncimi i ushtarakut:
"Pershendetje JOQ, sic dhe ka dalur ne lajme do marrin rroga ata qe kan pas marr pjese neper zjarre. Deri ketu ok por problemi qendron se listat jane bere sipas zgjedhjeve te komandantve te forcave ne FA dhe do marin ata qe skan qene fare te perfshire dhe kane harru dhe disa nga ata qe kane qene ne operacionet e fikjes se zjarrit. Nese prezent ne fikjen e zjarrit kan qene 30 veta keta kane bere liste me 200 veta dhe akoma me shume, po kam marr pjese dhe nga 3 paga qe me takojne se kam qen 18 dite me kan shenuar per te marr vetem 1. Eshte e vertetueshme per te gjithe pasi cdo gje levizje kur ka operacione ka autorizime dhe urdheri del nga komandanti. Shefat e zyrave kane shenuuar emrin sikur kane qene nga 30 dite dhe skane marr pjese fare ne operacion. Maksimumi i pagave eshte 3, duhet te kesh qene minimalisht 16 dite te marresh 3"