Në zonën e ish-ekspozitës, që nis nga karburanti “Eida” drejt kryqezimit të Drejtorisë së Policisë, ecja në trotuar është kthyer në një sfidë të vërtetë për këmbësorët.
Pothuajse i tëri i zënë nga rrethimi i kantierit të ndërtimit, pjesa e mbetur është pothuajse e pakalueshme, veçanërisht për prindërit me karroca fëmijësh, të cilët përballen me shtylla, pemë apo pengesa të tjera.
Këmbësorët detyrohen të ecin në rrugë, duke rrezikuar jetën e tyre, ndërkohë që aksionet për lirimin e hapësirave publike duket se shkojnë vetëm për qytetarët e thjeshtë, ndërsa ndërtuesit e mëdhenj dhe ata që kanë ndonjë mik a xhep të fortë vazhdojnë të bëjnë ligjin e pa asnjë pengesë.
Një paradoks shqetësues ku qytetari i zakonshëm ndëshkohet për një karrige ndërsa “miku i pushtetit” zë gjithë rrugën dhe nuk merret asnjë masë ndëshkimore.
Denoncimi i qytetarit:
Përshëndetje JOQ, trotuari në zonën e ish-Ekspozitës, nga karburanti “Eida” në drejtim të kryqëzimit të Drejtorisë së Policisë, është pothuajse i bllokuar nga rrethimi i kantierit të ndërtimit. Ai pak hapësirë që ka mbetur është pothuajse i pakalueshëm, veçanërisht për karrocat me fëmijë, pasi pengohet nga shtyllat dhe pemët. Kjo paraqet rrezik për këmbësorët, të cilët detyrohen të ecin në rrugë. Aksionet për lirimin e hapësirave publike duket se shërbejnë vetëm për shtresën e mesme dhe jo për ndërtuesit e mëdhenj.