Një qytetar ka denoncuar gjendjen alarmante të plehrave në plazhin publik të Velipojës, në zonën qendrore, ku për katër ditë me radhë mbeturinat janë lënë pa pastruar.
Sipas denoncuesit, punonjësit e pastrimit të bashkisë nuk kujtohen për zonën e plazhit dhe grumbujt e mbeturinave lihen në rërë për ditë të tëra.
Pamjet e mbërritura në redaksinë tonë tregojnë qartë sasi të mëdha mbetjesh, që jo vetëm krijojnë ndotje vizuale dhe mjedisore, por përbëjnë edhe rrezik për shëndetin e pushuesve.
Përballë kësaj ndotje dhe pamje aspak të këndshme në një kohë që je me pushime, disa pushues nga Kosova kanë bërë mbledhjen e tyre në mënyrë vullnetare.
Qytetarët dhe pushuesit ngrenë shqetësimin se ndonëse sezoni turistik është drejt fundit, Bashkia Shkodër dhe strukturat përgjegjëse nuk po përmbushin detyrimet e tyre për mbajtjen pastër të plazheve publike, duke ua lënë barrën vizitorëve.
Apeli i qytetarëve është për më shumë kujdes dhe organizim në mbajtjen pastër të ambienteve të përbashkëta.
Mesazhi i qytetarit:
"Kështu dukej per kater dite plazhi publik Velipoje ( qender).Këto mbeturina u hoqen nga pushuesit nga Kosova".