JOQ Albania bën historinë: 60 persona të humbur të gjetur në 30 ditë!

Shkruar nga: U Tafa | Publikuar më: 03.09.2025, 15:22

Një muaj, 60 histori të kthyer nga ankthi në gëzim. Vetëm gjatë muajit gusht 2025, falë ndihmës së komunitetit dhe fuqisë së shpërndarjes në rrjetet sociale të JOQ Albania, janë gjetur dhe janë rikthyer pranë familjeve të tyre 60 persona të shpallur të humbur.

Këto raste përfshijnë të moshuar të zhdukur në rrethana të vështira, fëmijë që janë larguar nga shtëpitë, turistë, persona me probleme mendore që nuk dinin të ktheheshin dhe shumë fëmijë apo të moshuar humbën në plazhe gjatë pushimeve verore.

Falë reagimit të shpejtë dhe ndihmës së qytetarëve, ata u gjetën brenda pak minutash ose pak orësh duke shmangur tragjedi të mundshme.

Gjithashtu, ka pasur histori që prekin zemrat e çdo kujt, si ajo e vajzës nga Franca që përmes JOQ arriti të gjente babain e saj shqiptar pas shumë vitesh. Në mënyrë të veçantë, veçojmë rastin e Marjetës, e cila pas disa muajsh kërkimesh në Itali, u gjet në Romë dhe sot është sërish pranë familjes së saj. Ky ishte një apel që u kthye në kauzë kombëtare dhe përfundoi me sukses.

Ky rezultat nuk do të ishte i mundur pa ndihmën e qindra mijëra syve vigjilentë që çdo ditë bëhen pjesë e misionit tonë. Faleminderit çdo qytetari që shpërndan, komenton, raporton apo jep informacion. Një falenderim i veçantë shkon edhe për efektivët e Policisë së Shtetit, të cilët në disa raste kanë bashkëpunuar me ne duke shkëmbyer informacion për të bërë të mundur gjetjen sa më shpejt të personave të humbur.

Megjithatë, pavarësisht këtij suksesi të jashtëzakonshëm, puna nuk ka mbaruar. Aktualisht kemi dy persona të raportuar gjatë muajit gusht që ende nuk janë gjetur dhe familjet e tyre vijojnë të jetojnë çdo ditë me ankthin e mosditjes.

Nëse keni ndonjë informacion për ta, ju lutemi kontaktoni menjëherë JOQ Albania në WhatsApp, në numrin +355 69 92 99 998. Çdo mesazh i juaji, sado i vogël, mund të bëhet arsyeja që edhe këto familje të ribashkohen me të dashurit e tyre.

Ky muaj na tregoi edhe një herë fuqinë e solidaritetit shqiptar dhe vërtetoi se JOQ Albania është zëri juaj, historia juaj, shtëpia juaj.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit