Familjarët e pacientëve që trajtohen për Glioblastomë në QSUT denoncojnë për JOQ Albania mungesën prej gati një muaji të medikamentit Temozolomid, i cili është thelbësor për kimioterapinë e tyre. Sipas tyre, spitali dhe farmacia e lidhur me të nuk ofrojnë informacion të qartë se kur do të rifunksionojë furnizimi, duke rrezikuar seriozisht shëndetin dhe jetën e pacientëve.
Familjarët kërkojnë reagim të menjëhershëm nga institucionet përkatëse. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, nën drejtimin e ministres Albana Koçiu, dhe Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, me drejtoreshë Blerina Kaza, duhet të sigurojnë furnizimin urgjent të Temozolomidit dhe të ofrojnë transparencë të plotë për qytetarët.
"Përshëndetje JOQ! Kam një problem. Problemi lidhet me QSUT. Unë jam familjare e një pacienti që merr trajtim me Temozolomid për Glioblastomë. Informacioni që kemi marrë është se spitali dhe farmacia e lidhur me të nuk kanë stok të medikamentit prej gati një muaj dhe nuk ka informacion të qartë se kur do të furnizohen pacientët. Kjo situatë rrezikon vazhdimësinë e trajtimit dhe shëndetin e pacientëve, pasi çdo dozë e humbur mund të ndikojë seriozisht në efektivitetin e mjekimit. Kërkojmë transparencë dhe përgjegjësi nga institucionet përgjegjëse, si dhe sigurimin urgjent të medikamentit për pacientët në nevojë. Faleminderit nëse na ndihmoni sadopak. Theksoj që çdo hap i kimioterapisë është jetik", thuhet në denoncim.
Shëndetësia europiane thotë kryeministri, por kjo situatë tregon realitetin e hidhur dhe ngre shqetësim për mungesën e menaxhimit dhe përgjegjësisë në sistemin shëndetësor publik, ndërsa familjarët apelojnë që institucionet të veprojnë pa vonesë. Çdo ditë e humbur në trajtim mund të ketë pasoja serioze për pacientët.