Një ngjarje e rëndë tronditi fshatin Abat të Shalës në Shkodër më 28 gusht, ku u vra 61-vjeçari Piro Prroni pas një konflikti për një parcelë me kanabis. Autori i dyshuar, Ndoc Maçaj, kryeplaku i fshatit dhe kushëri i viktimës, u vetëdorëzua në polici dhe pranoi autorësinë e krimit. Sipas dëshmisë së tij, konflikti nisi kur Prroni i dalë përpara me një mjet prerës në dorë, duke e kërcënuar, pas një kontrolli të zonës ku Maçaj kishte konstatuar rreth 80 bimë kanabisi të kultivuara në tokën e tij.
Maçaj ka deklaruar se ka qëlluar fillimisht një fishek në ajër për ta trembur Prronin, por kur ky i fundit vazhdoi të afrohej me kërcënime dhe mjetin prerës, Maçaj ka qëlluar drejt, duke e plagosur në shpatull. Viktima ka ecur disa hapa pas, u ul në tokë dhe më pas humbi jetën. Pas ngjarjes, Maçaj njoftoi familjarët dhe autoritetet, duke dorëzuar armën e përdorur dhe duke pritur policinë në banesën e tij. Policia pas hetimeve ka zbuluar parcelën e kanabisit dhe ka asgjësuar shumicën e bimëve, ndërsa pesë rrënjë u sekuestruan për ekzaminim laboratorik.