Grindje të përsëritura për çështje banale dhe debate të forta për kufijtë e pronave dyshohet të jenë shkaqet që çuan në një krim të rëndë në Fontaniva të Italisë, ku më 8 qershor u qëllua me armë dhe mbeti i plagosur rëndë 58-vjeçari shqiptar, Fatos Cenaj. Ai ndërroi jetë pas tre ditësh koma në spital.
Autori i dyshuar i ngjarjes së rëndë nuk është ndonjë i panjohur, por pikërisht fqinji italian që jetonte pranë Cenajt, një punëtor në një fabrikë lokale. Ai ndodhet nën hetim për vrasje me paramendim, ndërkohë që po trajtohet në një qendër të shëndetit mendor (ULSS 6) dhe është aktualisht i lirë, në pritje të zhvillimeve të mëtejshme hetimore.
Sipas hetuesve, mëngjesin e 8 qershorit, i dyshuari kishte përgatitur një pritë pranë fermës "Dindo" ku punonte Cenaj. I fshehur mes pemëve, ai priti derisa 58-vjeçari kaloi me triçikletën e tij dhe më pas e qëlloi nga pas me një armë zjarri. Plumbi e goditi mbi vesh, duke e lënë pa ndjenja. Autori mori gëzhojën për të mos lënë prova dhe u largua me biçikletë.
Pamjet e kamerave të sigurisë lokale kanë luajtur një rol kyç në identifikimin e të dyshuarit. Shtëpia e tij është kontrolluar nga karabinierët, ndërsa priten rezultatet e analizës balistike të kryera nga njësia speciale RIS në Parma për të konfirmuar armën dhe autorin e sulmit.
Familja e Cenajt është larguar nga zona menjëherë pas ngjarjes, duke theksuar se kishin pasur frikë të vazhdueshme nga fqinji, tashmë i akuzuar për vrasje.
Hetimet janë ende në vazhdim dhe autoritetet italiane pritet të zbardhin plotësisht motivet dhe dinamikën e ngjarjes që tronditi komunitetin shqiptar në Itali.